Si të ndërtosh hapësirën tënde emocionale dhe personale

Fatkeqësisht, kufijtë tanë personal nuk janë aq të dukshëm sa një gardh apo shenjë gjigante “mos kalo”. Janë më shumë si flluska të padukshme.

Edhe pse kufijtë personal mund të jenë sfidues për t’u dhënë drejtim, vendosja dhe komunikimi i tyre është thelbësor për shëndetin tonë mendor, mirëqenien, madje dhe sigurinë tonë.

“Kufijtë japin një ndjenjë lirie mbi hapësirën fizike, trupin dhe ndjenjat tona,” thotë Jehn Kennedy, një terapiste familjesh. “Të gjithë kemi limite, dhe kufij që e komunikojnë atë vizë”.

Mund të vendosim kufij për:

  • Hapësirën tonë personale
  • Seksualitetin
  • Emocionet dhe mendimet
  • Sendet tona
  • Kohën dhe energjinë
  • Kulturën, fenë, dhe etiketat

Vendosja e kufijve për veten dhe nderimi i kufijve të të tjerëve nuk është shkencë, por mund të mësosh mënyra për të marrë në dorë jetën tënde. Nëse do që të vendosësh rregulla më të qarta me familjen tënde, ose të mbrosh hapësirën tënde me të panjohurit, ja si të fillosh.

Kupto çfarë janë kufijtë

Fjala “kufi” mund të jetë çorientuese. Jep idenë e mbajtjes së vetës tënde të ndarë nga të tjerët. Por kufijtë janë në fakt pika lidhëse sepse japin rregulla të shëndetshëm për drejtimin e marrëdhënieve, intime apo profesionale.

1. Kufijtë përmirësojnë marrëdhëniet tona dhe vetëvlerësimin

“Kufijtë mbrojnë marrëdhëniet tona që të mos bëhen të pasigurta. Në këtë mënyrë, në fakt na afrojnë më shumë se na largojnë, dhe janë të domosdoshme në çdo marrëdhënie,” thotë Melissa Coats, konsultore profesionale.

Të paturit kufij na lejon t’i japim përparësi vetes, qoftë në vetëkujdes, aspirata profesionale, dhe në marrëdhënie.

2. Kufijtë mund të jenë fleksibël

Mos i vizato kufijtë me bojë të përhershme. Është mirë t’i mendosh herëpashere dhe t’i rivlerësosh.

“Kur kufijtë janë shumë të ashpra ose jo fleksibël, mund të ndodhin probleme,” thotë Maysie Tift, terapiste familjesh e martesash.

Ti nuk dëshiron që ta izolosh veten, të shmangësh afrimitetin, apo të heqësh dorë nga koha me të tjerët. Krijimi i kufijve që janë tepër të përkulshëm është e shpeshtë për gratë.

Tift thekson mundësin se marrja e “një qasjeje tepër sakrifikuese ndaj marrëdhënieve krijon imbalancë dhe përfitime.”

3. Kufijtë na lejojnë të ruajmë energjinë emocionale

“Vetëvlerësimi dhe identiteti yt mund të ndikohet, dhe ti ndërton mëri kundrejt të tjerëve prej paaftësisë për të mbrojtur veten,” shpjegon Justin Baksh, këshilltar i shëndetit mendor.

Nuk ke nevojë të kesh të njëjtët kufij apo nivele rehatie për të gjithë. Kufijtë që të lejojnë të kesh një rreze të ndryshme në varësi të situatës apo personit mund të të ndihmojnë të mbash mjaftueshëm energji për t’u kujdesur për veten.

Kupto se vetëm për shkak se mund të jesh i lumtur t’i japësh një dorë mikut të ngushtë kur shpërngulet nga shtëpia, nuk do të thotë se duhet të bësh ngritjen e rëndë emocionale kur dikush të dërgon mesazhe për dramën e tij të fundit.

4. Kufijtë na japin hapësirë të rritemi e të jemi të brishtë

Të gjithë përballemi me ndjenja komplekse kur jeta bën të vetën. Duke vendosur kufij dhe duke i thyer ato kur është momenti i duhur, tregon brishtësinë tënde.

Kjo mund të jetë aq e thjesht sa t’i flasësh haptazi miqve e familjes. Kur i shfaqim brishtësi dikujt, i bëjmë me dije se janë të mirëpritur të na hapen ndonjëherë kur mund të kenë nevojë.

Por brishtësia dhe mbindarja e informacioneve janë ndryshe. Brishtësia e përbashkët i sjell njerëzit më afër me kalimin e kohës. Mbindarja, nga ana tjetër, mund të përdori dramat për të manipuluar, për ta mbajtur dikë emocionalisht peng, ose ta detyruar marrëdhënien në një drejtim.

SHENJA TË KUQE TË NDARJES SË TEPËRT TË INFORMACIONEVE

  • Postimi i sharjeve dhe sulmeve në rrjete sociale
  • Nuk filtron se kush merr dozën e dramava të përditshme
  • Ndarja e të dhënave personale me njerëz të rinj me shpresën për t’i bërë miq shpejt
  • Biseda të dominuara, të njëanshme, duke pritur terapi emocionale në gatishmëri nga miqtë e familja

Mësimi i këtij ndryshimi është gjithashtu një pjesë kritike e vendosjes dhe komunikimit të kufijve. Mbindarja rastësore nuk është krim. Të gjithë kemi faj për mbindarje të padëmshme aty-këtu. Por nëse dyshon se e bën rregullisht, mund të jesh duke shkelur kufijtë e të tjerëve.

Vendosi kufijtë e tu duke ekzaminuar të drejtat dhe nevojat e tua

Nuk mund të kërkojmë në Etsy për një set me kufij të qepur me dorë që të ndërtojmë tonat. Kufijtë janë zgjedhje thellësisht personale dhe variojnë nga një person te tjetri, dhe ne i formojnë gjatë jetës tonë.

Kufijtë tanë formohen nga

  • Trashëgimia ose kultura
  • Rajoni ku jetojmë ose nga vijmë
  • Nëse jemi introvertë, ekstrovertë, ose diçka midis
  • Eksperiencat e jetës
  • Dinamikat e familjes

“Të gjithë vijmë nga familje unike,” shpjegon Kennedy. “Të gjithë i japim kuptim ndryshe situatave. Dhe mund të ndryshojmë kufijtë tanë gjatë viteve teksa rritemi dhe na ndryshon perspektiva. Nuk mund të ketë vetëm një standard. Çdo person duhet të gjejë nivelin e rehatisë me veten e vetë.

Mund t’i investigosh dhe përcaktosh kufijtë e tu me vetëreflektim.

Cilat janë të drejtat e tua?

“Është e rëndësishme të vendosh kufij për të identifikuar të drejtat e tua themelore si njeri,” thotë Judith Belmont, autore dhe psikoterapiste. Ajo ofron shembujt e mëposhtëm:

Të drejtat themelore:

  • Kam të drejtë të them jo pa u ndier në faj.
  • Kam të drejtë të trajtohem me respekt.
  • Kam të drejtë t’i bëj nevojat i mia aq të rëndësishme sa të të tjerëve.
  • Kam të drejtë të pranoj gabimet dhe dështimet e mia.
  • Kam të drejtë të mos i përmbush pritshmëritë e paarsyeshme që kanë të tjerët për mua.

Kur i identifikon të drejtat e tua dhe zgjedh t’u besosh atyre, do ta kesh më të lehtë t’i nderosh ato. Kur i nderon ato, do të ndalosh së shpenzuari energji duke qetësuar ose kënaqur ata që nuk i nderojnë.

Çfarë të thotë instikti yt?

Instinktet e tua mund të të ndihmojnë kur dikush po cenon kufijtë tu ose kur duhet t’i vendosësh.

“Kontrollo me trupin tënd (rrahjet e zemrës, djersë, shtrëngim në kraharor, stomaku, fyti) që të të thotë se çfarë mund të përballosh dhe ku duhet vendosur kufiri,” thotë Kennedy.

Ndoshta shtrëngon grushtet kur shoku i dhomës të merr borxh pallton e re, për shembull. Ose shtrëngon nofullat kur të afërmit të pyesin për jetën tënde dashurore.

Cilat janë vlerat e tua?

Kufijtë e tu lidhen dhe me filozofinë tënde morale, thotë Baksh. Ai rekomandon të zgjedhësh 10 vlera të rëndësishme identifikuese. Më pas ngushtoje atë listë në pesë, ose dhe tre.

“Reflekto mbi sa shpesh sfidohen këto të treja, shkelen, ose shtypen në një mënyrë që të bën të mos ndihesh rehat,” thotë ai. “Kjo të lejon të dish nëse ke kufij të fortë dhe të shëndetshëm apo jo.”

Bëhu bos i vendosjes së kufijve

A je ndier keq ose i rraskapitur prej dikujt tjetër? Ndokush mund të ketë shkelur kufirin tënd pa e ditur që ishte.

Ja si t’i vendosësh kufijtë me siguri.

1. Ji i vendosur

“Nëse dikush vendos kufij me vendosmëri, duket i prerë por i sjellshëm me të tjerët,” thotë Kennedy. “Nëse i vendosin me agresivitet, duket e ashpër dhe shtyrëse te të tjerët. Gjuha e vendosmërisë është e qartë dhe e panegociueshme pa e fajësuar ose kërcënuar marrësin.”

Mund të jesh i vendosur duke përdorur “deklarata unë”.

Si të përdorësh deklarata unë

Unë ndihem ______ kur ______ sepse __________________.

Ajo qe kam nevojë është ______________________________.

Belmon shpjegon, “Deklaratat unë tregojnë vetëbesim dhe një vendosje të mirë kufijsh duke shprehur mendimet, ndjenjat, dhe opinionet pa u shqetësuar se çfarë mendojnë të tjerët.

Komunikim efektiv Komunikim joefektiv
Ndihem i dhunuar kur t’i lexon ditarin tim sepse unë vlerësoj privatësinë. Kam nevojë për një hapësirë private për të shënuar mendimet e mia. Largoji duart nga ditari im!
Ndihem i përmbytur kur çdo minutë e pushimeve tona është e planifikuar. Kam nevojë për kohë për t’u relaksuar dhe shohim ç’të bëjmë. Po i bën shumë të lodhshme këto pushime dhe s’dua të bëj asgjë nga ato që ke planifikuar.

2. Mëso të thuash jo

Edhe pse mund të jetë e frikshme për ta thënë, “Jo” është një fjali e plotë.

Mund të hezitojmë të themi jo pa dhënë më shumë informacion, por nuk është e nevojshme, shton Steven Reigns, terapist familjesh e martesash. “Ndonjëherë vendosmëria nuk nevojitet aq shumë për vendosjen e kufijve sa toleranca personale ndaj të mos qenit rehat.”

Mund të thuash jo pa një shpjegim dhe pa i dhënë një justifikim emocional personit që po ia thua.

Nëse dikush të kërkon numrin, apo të kërcesh me të, mundesh patjetër të thuash thjesht jo. Nëse një koleg të kërkon t’i mbulosh turnin, mund të thuash sërish jo, pa dhënë justifikim.

3. Ruaji hapësirat e tua

Mund të vendosësh kufij për sendet e tua, hapësirat fizike dhe emocionale, dhe kohën e energjinë tënde pa e deklaruar.

Masa të zgjuara për ruajtjen e kufijve

  • Vendosi sendet private në një sirtar apo kuti të kyçur.
  • Përdor një ditar dixhital të mbrojtur me fjalëkalim në vend të një ditari letre.
  • Vendos kohë të panegociueshme për të ndenjur vetëm ose kur po bën gjërat e tua.
  • Përdor fjalëkalime, kode, ose siguri të tjera në pajisje elektronike.
  • Vendos një kohë pushim nga përgjigja e emaileve ose mesazheve.
  • Përdor opsionin “out of office” te emailet kur je me pushime.
  • Përdor opsionin “Do not disturb” te telefoni apo pajisje të tjera.
  • Bëji premtim veten të mos u përgjigjesh mesazheve apo telefonatave të punës te llogaritë personale.

Kërkimet e reja tregojnë se duhet të marrim kohë për t’u shkëputur. Një studim tregon se vetëm pritshmëria se duhet të jemi të gatshëm për t’iu përgjigjur një emaili pune përgjatë kohëve jashtë pune, mund të ulin mirëqenien tonë dhe të krijojnë konflikte në marrëdhëniet tona. Kështu që vendos kufij për balancë punë-jetë kurdo që të mundesh.

Hapësirat tona teknologjike janë gjithashtu një zonë në rritje e tejkalimit të kufijve në marrëdhëniet romantike. Teknologjia ka shtruar shpejt rrugën për cenimin e privatësisë dhe kontrollit.

Më shumë se gjysmat e personave që iu përgjigjën një sondazhi raportuan se teknologjia e komunikacionit ishte përdorur në marrëdhëniet intime si mjet për të monitoruar ose manipuluar.

Si i rritur, ke të drejtë t’i sigurosh pajisjet e tua teknologjike dhe llogaritë dhe t’i mbash private mesazhet e tua. Komunikimi i kufijve me partnerët e rinj për pajisjet dixhitale është një zakon që duhet të fillojmë ta zhvillojmë.

4. Mërr ndihmë ose mbështetje

Përcaktimi dhe vendosja e kufijve mund të jetë më e vështirë nëse ti ose një person i dashur jeton me sëmundje mendore, depresion, ankth, ose histori traumash.

“Për shembull, një mbijetues i një sulmi seksual mund të ketë kufirin që të pyetët para se të preket,” thotë Coats. “Ose një fëmijë i rritur i një personi me prirje narcisiste ose borderline mund të ketë nevojë t’i thotë më shumë ‘jo’ prindërve për të mbrojtur ndjenjat e veta.”

Si të dallosh dhe nderosh kufijtë e të tjerëve

Të kemi një semafor që na udhëzon në vendosjen e kufijve do të ishte ndihmuese; sidoqoftë, mund të përdorim mënyra të tjera për të qenë më të vetëdijshëm dhe të mos i shkelim. E gjitha varet nga komunikimi dhe të qenit i vetëdijshëm për hapësirën e njerëzve të tjerë.

Ja rregullat fillestare që të ndjekësh.

1. Shiko shenjat

“Vërejta e shenjave sociale është mënyrë e mirë për të dalluar kufijtë e të tjerëve,” thotë Regin. “Kur flet me dikë dhe ata bëjnë hap pas kur ti bën hap përpara, të jepet informacioni për nivelin e tyre të rehatisë me afërsinë.”

Shenja të mundshme që dikush mund të dojë më shumë hapësirë:

  • Shmang kontaktin me sy
  • Kthehen anash ose largohen
  • Përgjigje të limituara
  • Pohime të shumta me kokë ose “ëhë”
  • Zëri bëhet papritur i lartë
  • Gjestikulacione nervoze si të qeshura, të folur të shpejtë, ose të folur me duar
  • Palosje e krahëve ose posturë e ngurtë
  • Zmbrapsje
  • Bëhu gjithëpërfshirës i sjelljeve neurodiverse

Shenjat mund të jenë pak të ndryshme për të gjithë. Mbaj mend gjithashtu se disa njerëz mund t’i përdorin disa gjeste gjithë kohën, mund të mos jenë shenja, mund të kenë shenja të ndryshme, ose nuk kapin shenjat e tua.

“Neurodivergjent” është një term i ri për të përshkruar njerëzit të cilët jetojnë me autizëm, janë në spektrum, ose kanë çrregullime të tjera në zhvillim. Shenjat e tyre sociale mund të jene ndryshe nga norma, si kontakt i dobët me sy, ose vështirësi të nisin një bisedë.

2. Pyet

Mos e nënvlerëso kurrë fuqinë e pyetjes. Mund të pyesësh nëse është në rregull ta përqafosh dike ose nëse mund të bësh një pyetje personale.

Kufijtë janë këtu për të na ndihmuar

Mund ta mendojmë vendosjen e kufijve si forcim të marrëdhënies me të tjerët ne vend se të ndërtojmë mure për t’i mbajtur jashtë. Por kufijtë bëjnë dhe diçka tjetër të rëndësishme për ne.

Na tregojnë sjelljet që mund të jenë të dëmshme. Mendo për derën kryesore të shtëpisë. Nëse dikush e shkelmon, e di që ka një problem.

“Shpeshherë, ne i mënjanojmë instinktet tona sepse jemi të bindur se janë të paarsyeshëm, ose jemi mësuar të mos i besojmë,” thotë Coats. “Por nëse diçka ndihet vazhdimisht e parehatshme ose e pasigurt, është shenjë e kuqe që mund të jetë problem abuzimi.”

Nëse dikush të shtyn vazhdimisht ose dhunon kufijtë e tu, dëgjo instinktet e tua.

Dhe për të shmangur të qenit ai që shkatërron kufijtë, Coats thotë, “Kërkoji njerëzve në jetën tënde të jenë të sinqertë me ty nëse po kalon ndonjë kufi. Kjo mund të duket e frikshme, por me shumë mundësi do të përballet me vlerësim dhe do t’ju shënjojë si një person të sigurt për të vendosur kufij.”

Jennifer Chesak, www.healthline.com